I akuzuari për aksidentin ku vdiq Laurent Krasniqi thotë se nuk është në gjendje të deklarohet për fajësinë
Shemsi Llugaliu, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku vdiq Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Këtë deklarim e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast ka nisur sot, nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti.
Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit dhe se do të deklarohet pasi të përfundojë ajo.
Prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit.
Gjykata e ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e seancës, duke theksuar se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë.
Laurent Krasniqi, 29-vjeçar, i cili ishte bërë i njohur përmes reklamave dhe videove humoristike në mediat sociale, ka vdekur mbrëmjen e 2 shtatorit në një aksident komunikacioni.
Në këtë rast, palën e dëmtuar, Xheneta Krasniqi, e përfaqëson avokati Fanol Krasniqi./
Të rejat Lexo më shumë
Ushtria zvicerane kërkon deri në 700 specialistë të rinj deri në vitin 2035
Në nga njerëzit kyç të Vladimir Putinit, arrestohet në Mal të Zi
Ilir Deda: Jepini kohë Presidentes së re, efektet mund t’i matni pas tre muajsh