← Kthehu te Ballina
Politikë 15/10/2026 13:16

Haxhiu e nënshkruan ligjin për Dhomat e Specializuara, ia dërgon Presidentes për dekretim

Haxhiu e nënshkruan ligjin për Dhomat e Specializuara, ia dërgon Presidentes për dekretim

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka nënshkruar dhe ia ka përcjellë presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për dekretim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin Glauk Tahiri, këshilltar për media i kryetares së Kuvendit.

“Po, Kryetarja e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, e ka nënshkruar dhe ia ka përcjellë Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, për shpallje, Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Tahirit për Telegrafin.

Ligji është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 6 tetor 2026.

“Ligji është miratuar në seancën plenare të Kuvendit më 6 tetor 2026 dhe i është përcjellë Presidentes në mbështetje të nenit 80, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar Tahiri.

Tashmë, ligji i është dërguar Presidentes, ndërsa hapi i radhës i takon Shiroka-Pulës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Reklamë