← Kthehu te Ballina
Ekonomi 14/10/2026 10:01

Guvernatori Ismaili takohet me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, diskutojnë për stabilitetin financiar, reformat strategjike dhe bashkëpunimin institucional

Guvernatori Ismaili takohet me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, diskutojnë për stabilitetin financiar, reformat strategjike dhe bashkëpunimin institucional

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga anëtarët e delegacionit të BQK-së, zhvilloi takim bilateral të nivelit të lartë me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore.

Takimi u fokusua në zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, progresin në zbatimin e reformave strategjike dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së.

Guvernatori Ismaili theksoi stabilitetin e vazhdueshëm dhe performancën e mirë të sektorit financiar të Kosovës, duke nënvizuar se sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm, ndërsa sistemi financiar në tërësi vazhdon të dëshmojë stabilitet.

Ai theksoi qasjen e BQK-së që vendos stabilitetin financiar në qendër të prioriteteve, të mbështetur në forcimin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, avancimin e kornizës makroprudenciale, përmirësimin e monitorimit të rreziqeve sistemike dhe përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Guvernatori i BQK-së prezantoi progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së 2024-2028 dhe rekomandimeve që burojnë nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së. Theks i veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjithë sektorin financiar, forcimit të kornizave për stabilitetin financiar dhe menaxhimin e krizave, përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale, si dhe zhvillimit të kapaciteteve analitike, të parashikimit makroekonomik dhe mbikëqyrëse të BQK-së.

Ai më tej theksoi rëndësinë e ruajtjes së dinamikës së reformave dhe gatishmërisë institucionale për t’iu përgjigjur sfidave në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks dhe të pasigurt.

Në emër të BQK-së, ai shprehu mirënjohjen për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar dhe reformave institucionale në Kosovë.

Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të asistencës teknike të koordinuar mirë, të orientuar drejt zbatimit efektiv dhe qëndrueshmërisë së reformave, zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe transferimit të ekspertizës ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, u riafirmua përkushtimi i fuqishëm i BQK-së për themelimin dhe funksionalizimin e Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC).

Guvernatori Ismaili theksoi se BQK-ja tashmë ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë. Ai mirëpriti themelimin e qendrës së re rajonale si një investim të rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimin rajonal dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të institucioneve financiare dhe ekonomike, si dhe konfirmoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë zyrtare të inaugurimit.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke u mbështetur në arritjet e deritanishme dhe duke identifikuar mundësi për vazhdimin e asistencës teknike, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin institucional.

BQK mbetet e përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit financiar, avancimin e reformave dhe forcimin e qëndrueshmërisë, besueshmërisë dhe efektivitetit të sistemit financiar të Kosovës, në mbështetje të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe përafrimit të mëtejshëm me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Reklamë