“Gabim në çdo aspekt”, Rooney nuk e kursen Cristiano Ronaldon pas skandalit me Portugalinë
Wayne Rooney ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon për deklaratat e tij pas largimit nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë, duke e cilësuar veprimin e yllit portugez si të papranueshëm dhe të pashembullt në futboll.
Gjatë pushimit të fundit ndërkombëtar, Ronaldo u largua nga kampi i Portugalisë pasi trajneri Jorge Jesus e la në bankën rezervë gjatë fitores 2-1 ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve.
Pas këtij vendimi, pesë herë fituesi i Topit të Artë publikoi një deklaratë, në të cilën e akuzoi trajnerin Jesus për “shkelje të besimit”. Ronaldo, i cili kishte punuar me të te Al-Nassr sezonin e kaluar, zbuloi se vendimi për t’u larguar erdhi pasi trajneri refuzoi të lexonte disa deklarata të dakorduara paraprakisht gjatë një konference për shtyp.
Këto deklarata përfshinin një kërkimfalje ndaj Ronaldos, krahasimin e tij me legjendat Pele dhe Diego Maradona, si dhe lavdërime për mënyrën se si ai ndërvepron me tifozët.
Rooney, i cili luajti përkrah Ronaldos te Manchester United nga viti 2004 deri në vitin 2009, duke zhvilluar 140 paraqitje në Ligën Premier me të, beson se portugezi e ka kaluar çdo kufi me veprimet e tij.
“Mendimi im për Ronaldon është vetëm: ‘Pse?’ Ishte po ajo ditë kur Lionel Messi po tërhiqej nga Argjentina dhe ai vendosi të largohej në atë mënyrë nga grumbullimi i Portugalisë, e më pas të publikonte atë deklaratë. Është gabim në çdo aspekt”, deklaroi Rooney në emisionin “The United Stand”.
“Ajo që bëri, duke cenuar autoritetin e trajnerit dhe duke mos respektuar bashkëlojtarët, ishte krejtësisht e gabuar. Po ashtu, ishte gabim edhe ndaj Federatës Portugeze të Futbollit. Gjithçka rreth kësaj situate ishte e gabuar”.
Rooney, i cili e njeh mirë Ronaldon nga koha kur ishin bashkëlojtarë, pranoi se ishte e pakëndshme ta shihte një situatë të tillë nga këndvështrimi i një futbollisti dhe trajneri.
“Në fund të fundit, kjo vlen për çdo lojtar. Herët a vonë, duhet të ndalosh së luajturi futboll për kombëtaren tënde dhe, për fat të keq, ai nuk po e përballon mirë këtë situatë. Është e pakëndshme për t’u parë”.
“Nuk mund t’i tregosh një trajneri se çfarë duhet të thotë. Kjo shkon përtej çdo gjëje që kam parë ndonjëherë”, përfundoi Rooney.
Të rejat Lexo më shumë
Përshkallëzohet protesta, i vihet flaka institucionit financiar
Burnham i Mbretërisë së Bashkuar synon të "rindërtojë urat" mes Trumpit dhe Zelenskyt
Nga kabina e avionit luftarak te Liga e Kampionëve, historia e pazakontë pas suksesit të Bodo/Glimt