Fermin Lopez e kritikon Realin për ankesat në referim
Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, i ka kritikuar ankesat e Real Madridit për gjykimin në La Liga, duke thënë se kjo narrativë po bëhet gjithnjë e më e lodhshme para “El Clasicos” së së dielës në “Spotify Camp Nou”.
Duke folur për “Teledeporte” (përmes “MARCA”-s), spanjolli diskutoi gjithashtu qasjen e Barcelonës ndaj ndeshjes dhe i veçoi Thibaut Courtois dhe Kylian Mbappen si dy prej kërcënimeve më të mëdha të Real Madridit.
Fermin, i cili është shndërruar në një lojtar kyç për Barcelonën nën drejtimin e Hansi Flickut, e bëri të qartë se asnjëra skuadër nuk është favorite para “El Clasicos” shumë të pritur të së dielës.
Në vend të kësaj, ai theksoi rëndësinë që Barcelona ta ruajë qetësinë dhe ta zbatojë planin e saj të lojës.
“Në një ndeshje të tillë nuk ka favoritë; secila skuadër mund të fitojë. Jemi dy skuadra të mëdha dhe duhet të përqendrohemi te loja jonë, si dhe t’i kontrollojmë emocionet dhe detajet e vogla”, tha ai.
Ferminit iu bë edhe një pyetje për Jose Mourinhon dhe kritikat e vazhdueshme të Real Madridit ndaj vendimeve të gjyqtarëve, një temë që ka shkaktuar debate të shumta para “El Clasicos”.
Mesfushori i Barcelonës e bëri të qartë se nuk ka shumë interes për t’u përfshirë në këtë polemikë, por sugjeroi se ankesat e përsëritura po bëhen të lodhshme.
“Këto diskutime po bëhen paksa të lodhshme, sepse ne po e tregojmë nivelin tonë të vërtetë në fushë”, tha ai, duke iu kundërpërgjigjur “Los Blancos”.
“Nuk është e drejtë të përfshihesh në atë lloj retorike kur gjërat po na shkojnë mirë, por mua nuk më pëlqen të përfshihem në polemika të tilla, ashtu siç nuk i pëlqen askujt në skuadër”, shtoi ai.
“Duhet të vazhdojmë të përqendrohemi në rrugën tonë dhe, nëse ata duan të përfshihen në biseda të tilla, është sepse gjërat po u shkojnë mirë.”
Pavarësisht kritikave ndaj kësaj narrative, Fermini tregoi respekt kur foli për cilësinë individuale të Real Madridit. Ai veçoi portierin Courtois dhe sulmuesin Mbappe si lojtarë që Barcelona duhet t’i neutralizojë.
“Courtois i fiton shumë pikë skuadrës, bën shumë pritje, ndërsa Mbappe është një lojtar që mund ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes, prandaj, po të kisha mundësi, do t’i hiqja që të dy nga loja”, deklaroi Fermini.
“Por Madridi ka lojtarë shumë të mirë dhe duhet t’i kontrollojmë të gjithë si skuadër”, përfundoi ai.
Të rejat Lexo më shumë
Si po ecën realisht ekonomia amerikane nën presidentin Trump?
Ronaldinho rikthehet në fushë në moshën 46-vjeçare, klubi zbulon datën e debutimit të tij
Protestat masive tronditin Serbinë në prag të zgjedhjeve parlamentare, lëvizja studentore synon të rrëzojë partinë e Vuçiçit