Elon Musk po shqyrton mundësinë e bashkimit të Tesla dhe SpaceX
Elon Musk ka deklaruar se po shqyrton seriozisht bashkimin e Tesla-s dhe SpaceX-it, dy kompanive të tij më të mëdha.
"A mendoj se do të ishte një ide e mirë? Po", tha Musk të martën, gjatë një diskutimi me analistë financiarë mbi rezultatet tremujore të biznesit të SpaceX-it.
Edhe pse Musk theksoi se një bashkim i tillë nuk është i sigurt dhe do të kërkonte mbështetjen e aksionarëve, ai bëri të ditur se janë krijuar komitete të posaçme brenda të dyja kompanive për të shqyrtuar këtë mundësi.
"Komitetet e posaçme nuk kanë arritur ende një marrëveshje mbi kushtet e ndonjë transaksioni dhe nuk ka asnjë garanci se do ta bëjnë këtë", shtoi Musk, shkruajnë mediat e huaja, përcjell
"Megjithatë, besoj se bashkimi ka shumë anë pozitive dhe mund të sjellë përfitime të mëdha".
Duke pasur parasysh se Tesla vlerësohet në rreth 1,5 trilion dollarë, ndërsa SpaceX në 2 trilionë dollarë, bashkimi i këtyre dy kompanive do të përbënte një nga bashkimet më të mëdha në histori.
Aksionet e SpaceX-it u rritën me 8% gjatë tregtimit pas mbylljes së bursës.
Kompania, e cila prodhon raketa hapësinore dhe satelitë interneti për rrjetin Starlink, po zgjerohet tani edhe në ofrimin e kapaciteteve të llogaritjes në cloud (cloud computing) për kompani të tjera teknologjike, si Anthropic dhe Google.
Ky segment biznesi është bërë pjesa më fitimprurëse e SpaceX-it, duke gjeneruar 7,5 miliardë dollarë, sipas rezultateve më të fundit tremujore.
Gjithashtu, Starlink regjistroi të ardhura prej 5,2 miliardë dollarësh.
Musk, i cili u bë trilioneri i parë në botë (në bazë të vlerësimit të pasurisë në letra) pas hyrjes së SpaceX në tregun e aksioneve më herët gjatë këtij viti, deklaroi se nuk është pjesë e asnjërit prej komiteteve të posaçme që po shqyrtojnë këtë bashkim gjigant.
Ai e përshkroi veten si një "palë me konflikt interesi", duke qenë se mban postin e drejtorit ekzekutiv si në Tesla, ashtu edhe në SpaceX.
Ai shtoi se, në fund të fundit, vendimi për një bashkim do t'u takojë aksionarëve.
Të paktën 50% e aksionarëve të Tesla-s do të duhet ta miratojnë bashkimin, gjë që Musk e cilësoi si "një pengesë mjaft të lartë për t'u kapërcyer".