Edhe të huajt braktisin bujqësinë shqiptare, ekspertët ngrenë alarmin
Edhe investitorët e huaj po largohen nga bujqësia shqiptare, duke ngritur shqetësime te ekspertët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e dytë të vitit investimet e huaja direkte në bujqësi kanë pësuar një rezultat negativ prej 3.4 milionë eurosh, duke arritur nivelin më të ulët në historinë e investimeve në këtë sektor. Ilir Pilku, specialist i bujqësisë, theksoi se, ndërsa investimet totale të huaja në Shqipëri arrijnë 1.61 miliardë euro, kontributi i bujqësisë është i papërfillshëm për shkak të fragmentimit të tokës, mungesës së një tregu të rregulluar për shitjen e tokës bujqësore dhe pasigurisë politike. Kjo situatë rrit rrezikun e uljes së prodhimit, varësisë nga importet dhe rritjes së çmimeve. Investimet e mëparshme të huaja kishin dhënë një frymë të re bujqësisë, por tani është e domosdoshme të tërhiqen kapitalë të rinj për të përmirësuar sektorin.