← Kthehu te Ballina
Lajme 14/10/2026 09:01

E la ZDF-në për RTL, kuzhinjeri nxitë debat pasi akuzoi televizionin për moslejim të kreativitetit

E la ZDF-në për RTL, kuzhinjeri nxitë debat pasi akuzoi televizionin për moslejim të kreativitetit

Pas 13 vitesh në ZDF, kuzhinieri i njohur televiziv Sebastian Lege largohet nga televizioni publik gjerman për t’u bashkuar me RTL.

Ky largim ndodhi pasi ai dëshiron më shumë liri krijuese dhe mundësinë për të realizuar idetë e veta. Megjithatë, ish-punëdhënësi i tij nuk i pranon kritikat pa reaguar.

Mirëpo, me sa duket, largimi i Sebastian Lege nga ZDF-ja është shoqëruar me tensione, sepse, në vend të një ndarjeje miqësore, mes palëve ka nisur një debat publik, shkruan Blue News, transmeton

“E ngrita disa herë flamurin e kuq, por fatkeqësisht, njerëzit bënë sikur nuk panë asgjë”, deklaroi Lege në emisionin në YouTube Mach mal anders.

Ai thotë se i kishte paralajmëruar përgjegjësit që në fillim se emisioni i tij i njohur rrezikonte të humbiste famën që kishte marrë. E sipas tij, paralajmërimet nuk u morën parasysh nga ZDF-ja.

Nëse jo paralajmërimet, televizioni gjerman ka qenë i vëmendshëm ndaj akuzave, prandaj, nuk ka qëndruar në heshtje. Në një intervistë për portalin online t-online, ZDF-ja i ka kundërshtuar me vendosmëri pretendimet e kuzhinierit.

Përfaqësuesit e televizionit theksojnë se mes tyre ka pasur një “bashkëpunim të suksesshëm që zgjati më shumë se 13 vjet”. Ata shtojnë se gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar dhe përmirësuar vazhdimisht emisionet e Lege-s.

Si shembuj përmenden emisionet The Tricks of the Food Industry, Lege Spills the Beans dhe Besseresser Goes to School.

Për këtë arsye, ZDF-ja deklaron se nuk mund ta kuptojë kritikën e tij për mungesën e mundësive krijuese dhe e hedh poshtë atë, madje, sipas televizionit, Sebastian Lege po largohet me dëshirën e tij.

Kontrata e tij përfundon më 31 dhjetor 2026, me kërkesën e vetë kuzhinierit. Televizioni pohon se do të kishte dashur të vazhdonte bashkëpunimin me të, në kushte që do të ishin të arsyeshme për të dyja palët.

Pse Lege pastaj e zgjodhi RTL-në?

Sipas artikullit, arsyeja kryesore e largimit nuk janë paratë. Lege thekson se pagat në ZDF dhe RTL nuk ndryshojnë shumë. Ajo që ka më shumë rëndësi për të është liria krijuese.

Në RTL, ai shpreson të ketë mundësinë t’i realizojë idetë e tij pa kufizimet që mendon se ka pasur deri tani. Gjithashtu, do të mund t’i prodhojë vetë emisionet e tij përmes kompanisë së vet.

Kështu, RTL-ja bëhet destinacioni i tij i ardhshëm profesional, ndërsa marrëdhënia me ZDF-në duket se përfundon me pakënaqësi nga të dyja anët.

Reklamë