Dyshohet për tjetërsimin e pronave publike milionëshe, kërkohet paraburgim për zyrtarin e komunës së Prishtinës
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit M.B., i cili është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i pandehuri M.B., gjatë vitit 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
Po ashtu, ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J.
Prokurori i Shtetit, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se ndërlidhet me veprimtarinë e kundërligjshme, ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./IndeksOnline/
Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.
Lexo më shumë
Tragjedia në New York thellohet, shkon në tetë numri i të vdekurve nga shembja e ndërtesës
Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Në Afganistan, grave u ndalohet të studiojnë, të trajtohen nga mjeku, të largohen nga burri i dhunshëm - u mbetet vetëm të nënshtrohen
