← Kthehu te Ballina
Politikë 16/10/2026 15:32

Dy të akuzuar pranojnë fajësinë për keqpërdorimet në Telekom, katër të tjerë deklarohen të pafajshëm

Dy të akuzuar pranojnë fajësinë për keqpërdorimet në Telekom, katër të tjerë deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit D.C., dhe G.H., kanë pranuar fajësinë, ndërsa T.M, K.M, A.O dhe F.A janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale në Telekomin e Kosovës.

Deklarimi i tyre u bë në shqyrtimin fillestar të udhëhequr nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, mbrojtësja e D.C, avokatja Merita Bajraktari, kërkoi nga gjykata që ta aprovojë pranimin e fajësisë, duke thënë se i mbrojturi i saj ishte konsultuar paraprakisht dhe i kuptonte përfitimet dhe pasojat e pranimit të fajësisë.

Njëjtë deklaroi edhe mbrojtësja e G.H, avokatja Arbenita Aliu.

Prokurori special, Rafet Halimi, u pajtua me pranimin e fajësisë dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë atë, ndërsa shpallja e dënimit të bëhet pasi të përfundojë procedura edhe për të akuzuarit e tjerë, meqë G.H dhe D.C janë edhe dëshmitarë bashkëpunues.

Gjyqtarja Namani-Hajra e aprovoi pranimin e fajësisë, duke thënë se ai ishte bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësit. Ajo shtoi se shpallja e vendimit ndaj tyre pezullohet deri në përfundimin e procedurës për të akuzuarit e tjerë.

Ndërkaq, të akuzuarve që nuk e pranuan fajësinë iu dha afati prej 30 ditësh për të paraqitur kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 5 nëntor 2024, Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kishin pranuar fajësinë, por, pas ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues, shqyrtimi fillestar filloi nga e para.

Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për T.M dhe të tjerët?

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuar në këtë rast janë T.M, A.O, D.C, K.M, A.L, F.A dhe G.H.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se T.M, nga 21 janari 2019 deri më 24 prill 2019, në cilësinë e drejtorit të marketingut në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, përvetësoi pasurinë e kësaj ndërmarrjeje. Konkretisht, sipas aktakuzës, ai lidhi kontratë me një mobil-zone për furnizim me 239 telefona mobilë, prej të cilëve 153 i përvetësoi për vete. Në një furnizim të dytë prej 16 telefonash mobilë, ai dyshohet se përvetësoi edhe 11 të tjerë, duke arritur në gjithsej 164.847 euro e 83 centë vlerë të telefonave të përvetësuar.

Për këto veprime, T.M akuzohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

Reklamë