Dy persona gjobiten me nga 500 euro për djegien e hamulloreve në Klinë
Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona që dyshohet se kanë ndezur zjarr në hamullore në fshatrat Ujmir dhe Shtaricë të Klinës, ndaj të cilëve janë shqiptuar gjoba prej 500 eurosh për secilin.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti i parë është raportuar më 18 tetor, rreth orës 08:10, në fshatin Ujmir, ku po digjeshin hamulloret.
Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes. Policia ka identifikuar personin përgjegjës për ndezjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e tij.
Rreth orës 08:45, e njëjta patrullë policore, gjatë kthimit në qytet, ka vërejtur një zjarr tjetër në fshatin Shtaricë, ku po ashtu po digjeshin hamulloret. Edhe në këtë rast është identifikuar personi përgjegjës.
“Të dy personat janë udhëzuar të paraqiten në Stacionin Policor në Klinë, ndërsa ndaj tyre, për kundërvajtjet e konstatuara, janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 eurosh”, thuhet në njoftimin e policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga djegia e hamulloreve dhe ndezja e zjarreve në hapësira të hapura.
Policia ka paralajmëruar se veprime të tilla mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarrit dhe dëmtimin e pronës, ndërsa janë të ndaluara dhe ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.
“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprimet e nevojshme për identifikimin dhe trajtimin e rasteve të tilla, me qëllim të parandalimit të zjarreve dhe rritjes së sigurisë së qytetarëve”, thuhet në fund të njoftimit.
Të rejat Lexo më shumë
Daniel Dubois i pamëshirshëm ndaj Wardleyt: E rrah keq dhe e detyron ta dorëzojë meçin pas tri raundeve
Mbi 750 persona të pastrehë në Gjenevë, vetëm 500 vende në strehimore – shumë detyrohen të kthehen në rrugë
Rafuna: Katër vitet e ardhshme është shteti në pyetje – ja çfarë do të bëja në vend të Kurtit për projektet madhore?