Dronët e ushtrisë sudaneze goditën pjesëmarrës në një ceremoni mortore dhe një treg karburanti
Ushtria e Sudanit është akuzuar për kryerjen e disa sulmeve me dronë, të cilat raportohet se kanë vrarë më shumë se 300 njerëz, përfshirë dhjetëra persona që po udhëtonin për në një funeral, ka raportuar BBC, transmeton
Numri i të vdekurve nga sulmet në dy zona të shtetit të Kordofanit Perëndimor, të dielën në mbrëmje, arriti në 150, thanë burime për “Sudan War Observatory” (Observatori i Luftës në Sudan) – një organizatë që monitoron konfliktin e shpërthyer në vitin 2023 midis ushtrisë dhe forcave paraushtarake “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë” (RSF).
Në Abyei, një zonë kufitare e kontestuar midis Sudanit dhe Sudanit të Jugut, 153 persona u vranë kur dronët goditën një treg të hënën, njoftoi ministri i Informacionit i rajonit.
Një burim ushtarak i tha BBC-së se sulmin në Abyei e kishte kryer ushtria, duke pretenduar se tregu shërbente si pikë furnizimi me karburant për RSF-në.
Ky sulm ka rritur tensionet midis Sudanit të Jugut dhe Sudanit, të cilat e administrojnë së bashku Abyei-n. Të dyja vendet pretendojnë pronësinë mbi këtë rajon të pasur me naftë – një mosmarrëveshje që ka mbetur e pazgjidhur që nga shkëputja e Sudanit të Jugut në vitin 2011.
Sudani i Jugut ka thirrur ambasadorin e Sudanit për të paraqitur një protestë zyrtare. Ekzistojnë shqetësime se konflikti mund të përhapet përtej kufirit.
Pavarësisht një embargoje të pjesshme të armëve ndaj Sudanit, shtete të huaja kanë furnizuar si ushtrinë, ashtu edhe RSF-në me dronë; këta të fundit po shndërrohen gjithnjë e më shumë në armën kryesore të përdorur në këtë konflikt.
Lufta ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë, duke vrarë qindra mijëra njerëz dhe duke detyruar më shumë se 14 milionë të tjerë të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Jemi të alarmuar nga sulmet e vazhdueshme vdekjeprurëse me dronë në mbarë vendin, të cilat po vrasin civilë – përfshirë fëmijë – dhe po ndërpresin shërbimet thelbësore,” deklaroi të hënën Stéphane Dujarric, zëdhënës i OKB-së.
Ai theksoi se përdorimi në rritje i dronëve të armatosur po ndodh në një kohë kur 20 milionë njerëz përballen me uri akute, ndërsa rreziku i urisë masive po shtohet në pjesë të rajonit perëndimor të Darfurit dhe në rajonin e Kordofanit të Madh.
Kordofani i Madh përbëhet nga tre shtete dhe shërben si një nyje jetike që lidh Darfurin – i cili kontrollohet nga RSF-ja – me kryeqytetin Khartoum, që aktualisht ndodhet nën kontrollin e ushtrisë.
Të rejat Lexo më shumë
Protestat në Tiranë, Begaj seri takimesh me ambasadorët e SHBA-së, BE-së e Gjermanisë dhe dy ish-presidentët
A do ta drejtonte Manchester Unitedin? Fabregas i përgjigjet ashpër gazetarit
Befasi në Baku, Sabah ia barazon Dortmundit