← Kthehu te Ballina
Ekonomi 08/10/2026 13:31

Dogana zbulon 30,550 euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

Dogana zbulon 30,550 euro të padeklaruara në një veturë në Bërnjak

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar futjen e 30 mijë e 550 eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës.

Rasti është zbuluar në pikën kufitare në Bërnjak, ku zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili po hynte në Kosovë.

Gjatë intervistimit, udhëtari ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Megjithatë, pas dyshimeve të krijuara, zyrtarët kanë kontrolluar automjetin dhe udhëtarin.

Postimi i plotë:

Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar tentativën për futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur të fshehura 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.

Sipas nenit 33 të ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë, është i obliguar të deklarojë me shkrim shumën e mjeteve monetare dhe burimin e tyre të verifikueshëm pranë zyrtarit doganor.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufirit doganor, zbatimin e legjislacionit në fuqi, parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të paligjshëm të mjeteve monetare, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme.

Reklamë