Djegia e një banese në Ferizaj, lëndohet një zjarrfikës
IndeksOnline më herët raportoi për djegien e një banese në një kompleks banesor në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj, në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Në lidhje me rastin, detaje për IndeksOnline ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Sipas Veselit, Policia është njoftuar për zjarrin rreth orës 02:58, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës.
“Njësitet policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe emergjencën, kanë evakuar banorët e hyrjes dhe ndërtesës, duke siguruar jetën dhe sigurinë e tyre”, ka thënë Veseli për IndeksOnline.
Zjarri është lokalizuar dhe shuar plotësisht rreth orës 05:15, pas së cilës banorët janë lejuar të rikthehen në banesat e tyre.
“Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa një zjarrfikës ka pësuar djegie në dorë. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar në mesin e banorëve”, ka thënë Veseli.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë. Me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Incident zjarri”, ndërsa vendi i ngjarjes mbetet nën mbikëqyrjen e Policisë deri në ekzaminimin forenzik. /IndeksOnline/
Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.
