← Kthehu te Ballina
Politikë 26/10/2026 10:32

Ditët e fundit të pushtetit të Vuçiqit në Serbi: Zgjedhjet presidenciale në dhjetor, qeveria e re deri në fund të shkurtit

Ditët e fundit të pushtetit të Vuçiqit në Serbi: Zgjedhjet presidenciale në dhjetor, qeveria e re deri në fund të shkurtit

Pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Serbinë e presin një sërë afatesh kushtetuese, përfshirë shpalljen e rezultateve përfundimtare, konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, të cilat duhet të mbahen deri në fund të dhjetorit.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) ka publikuar rezultatet preliminare nga 7.926 vendvotime të përpunuara, sipas të cilave Lista Studentore ka fituar 52,19 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka marrë 39,52 për qind.

Vuçiq e ka pranuar humbjen të dielën në mbrëmje.

Sipas Ligjit për Zgjedhjen e Deputetëve të Kuvendit, komisionet lokale zgjedhore kanë 96 orë nga mbyllja e vendvotimeve për të përgatitur raportet përmbledhëse të rezultateve të votimit.

Pas pranimit të të gjitha raporteve, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ka gjithashtu 96 orë për të publikuar raportin e përgjithshëm të rezultateve.

Nëse nuk paraqiten ankesa dhe nuk ka përsëritje të votimit në vendvotime të caktuara, rezultatet përfundimtare mund të shpallen të enjten, më 29 tetor. Çdo ankesë ose përsëritje e votimit mund ta shtyjë këtë afat.

Neni 101 i Kushtetutës së Serbisë përcakton se seanca e parë e përbërjes së re të Kuvendit Popullor thirret nga kryetari i Kuvendit të përbërjes së mëparshme dhe duhet të mbahet jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Nëse rezultatet shpallen më 29 tetor, Kuvendi i ri duhet të konstituohet deri më 28 nëntor.

Seancën pritet ta thërrasë Ana Brnabiq, kryetare e Kuvendit në përbërjen e kaluar, e cila aktualisht ushtron edhe detyrën e presidentes së Serbisë.

Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet ta zgjedhë Qeverinë e re brenda 90 ditësh nga konstituimi i tij.

Kandidatin për kryeministër e propozon presidenti i Republikës, përkatësisht ushtruesja e detyrës së presidentit.

Nëse Qeveria nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja parlamentare.

Në rast se Kuvendi konstituohet në ditën e fundit të afatit, Qeveria e re duhet të zgjidhet jo më vonë se në fund të shkurtit 2027. Megjithatë, ky është afati maksimal dhe formimi i Qeverisë mund të ndodhë edhe më herët, nëse plotësohen kushtet e nevojshme.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit më 27 shtator, në mënyrë që të mund të marrë pjesë në fushatë pa ushtruar këtë funksion. Një ditë më vonë, detyrën e presidentit e mori Brnabiq.

Sipas Ligjit për Presidentin e Republikës, kryetari i Kuvendit mund ta ushtrojë detyrën e presidentit për një periudhë maksimale prej tre muajsh dhe është i detyruar t’i shpallë zgjedhjet në mënyrë që votimi të mbahet jo më vonë se tre muaj pas përfundimit të mandatit presidencial.

Nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë së paku 30 dhe jo më shumë se 60 ditë. Kjo do të thotë se data e fundit e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale është e diela, 27 dhjetor.

Në fillim të tetorit, Brnabiq deklaroi se zgjedhjet do t’i shpallë brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, por data e saktë ende nuk është bërë e ditur.

Vuçiq nuk mund të kandidojë në këto zgjedhje presidenciale, pasi i ka shfrytëzuar dy mandatet e njëpasnjëshme në këtë post. /Klix

Në një kohë kur çdo detaj i performancës dhe kursimit ka rëndësi, zgjedhja e karburantit të duhur bëhet vendim...

Reklamë