Daçiq synon të fitojë vota me takime në Moskë, Lavrovit ia dhuron një tabelë shahu, e paraqet si mjeshtër të diplomacisë
Në prag të zgjedhjeve në Serbi dhe në mes të fushatës elektorale, kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, shkoi në Moskë me synimin për të fituar më shumë vota në vendin e tij për zgjedhjet që do të mbahen më 25 tetor.
Ai atje u takua me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, për të cilin u mundua të gjejë fjalët më të mira për diplomacinë e tij.
“Miku im i vjetër, Sergei Lavrov, i cili ka qenë gjithmonë pranë Serbisë dhe meje që dekada më parë, dhe që u kujdes për shëndetin tim kur isha në spital, më uroi sot shumë sukses në zgjedhjet e ardhshme. I dhurova një shah me figura nga mitologjia sllovene, si simbol i aftësisë së tij për t’i bërë shah e mat diplomacisë botërore. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Daçiq, krahas një videoje të publikuar nga takimi me të.
Për vizitën e Daçiqit në Rusi, i cili aktualisht është zëvendëskryeministër në qeverinë serbe dhe ministër i Brendshëm, ka lëshuar komunikatë edhe Ministria e Jashtme e Rusisë.
MPJ ruse thotë se ata dy folën edhe për Kosovën.
“Palët diskutuan gjendjen aktuale të bashkëpunimit ruso-serb dhe perspektivat e tij të ardhshme në fushat kryesore. Sa u përket çështjeve ndërkombëtare, theks i veçantë iu kushtua situatës në Ballkan. Ministrat nënvizuan rëndësinë themelore të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe interesin e tyre të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit në rajon”.
Të rejat Lexo më shumë
Fluturon si tullumbace, mbahet si fshesë elektrike - si funksionon vetura “fluturuese” e Teslës?
Obiliqi vazhdon mbjelljen e drunjve edhe gjatë vikendit
Rrëzohet një avion në Skoci, humbin jetë dy persona