← Kthehu te Ballina
Politikë 16/10/2026 19:16

Bylbyl Sokoli: S’ka vend për shqetësime rreth Lojërave Mesdhetare, më shumë po bëhet për rivalitet politik

Bylbyl Sokoli: S’ka vend për shqetësime rreth Lojërave Mesdhetare, më shumë po bëhet për rivalitet politik

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ish-trajneri e profesori, Bylbyl Sokoli ka qenë i ftuar sot në emisionin “Frontal” me Arsim Lanin në T7.

Sokoli ka folur rreth çështjes së Lojërave Mesdhetare, teksa ka thënë se nuk ka vend për shqetësime dhe se gjithçka po shkon siç duhet.

“Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare po shkojnë sipas dinamikës së caktuar, ka pasur disa probleme dorën në zemër, por tashmë ligji është aprovuar, është përpiluar masterplani, edhe mastergrupi që i përgatit Lojërat Mesdhetare”, ka thënë ai fillimisht në “Frontal”.

“Barrën e organizimit e ka Komiteti Olimpik, shteti e suporton. Janë planifikuar mjete të caktuar për rinovimin e ndërtimin e objekteve të reja. Unë mendoj se nuk duhet shqetësuar shumë rreth kësaj, përgatitjet janë duke shkuar siç duhet. Më tepër ka ngjyrosje të rivalitetit politik, sesa një brengë që e ka ai për këtë organizim”, tha ai tutje, duke i thënë disa fjalë indirekt edhe për Përparim Ramën.

Lojërat Mesdhetare 2030 pritet të mbahen në Prishtinë pas katër vitesh, teksa disa gara do të mbahen edhe në Shqipëri.

Reklamë