Bordi i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë kundërshton shkarkimin
Bordi i NPL “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij, duke pretenduar se procedura është ndërmarrë nga anëtarë të rinj të Komisionit Komunal të Aksionarëve, në një kohë kur vendimi për emërimin e tyre ende nuk kishte hyrë në fuqi.
Anëtarja e Bordit, Elona Bajgora, ka thënë se vendimi për shkarkimin e Bordit ekzistues dhe emërimin e një Bordi të përkohshëm është juridikisht i kontestueshëm.
“Vendimin për shkarkimin e Bordit ne e kundërshtojmë , pasi konsiderojmë se vendimi është marrë nga persona të cilët, në momentin e ndërmarrjes së këtyre veprimeve, ende nuk e kishin fituar mandatin për të ushtruar kompetencat e aksionarit”, ka deklaruar Bajgora. “Sipas Bordit, vendimi nr. 01-020/04-146972/26 përcakton se ai hyn në fuqi 30 ditë pas regjistrimit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe shtatë ditë pas publikimit në ueb-faqen e Kryeqytetit”, ka shtuar ajo.
Akti është parashtruar në MAPL më 1 tetor 2026, ndërsa Bordi pretendon se në momentin kur janë ndërmarrë veprimet për shkarkimin e tij, afati 30-ditor ende nuk kishte përfunduar.
Ndërkohë, anëtarët e deritanishëm të Komisionit Komunal të Aksionarëve më 2 tetor 2026 kanë paraqitur kërkesë në MAPL për shqyrtimin e ligjshmërisë së procedurës dhe vendimit.
Në kërkesë janë ngritur pretendime lidhur me konfliktin e interesit, urgjencën, rendin e ditës, mënyrën e votimit, kuorumin dhe mangësi të tjera të vendimit.
Bordi thotë se deri më tani nuk ka pranuar përgjigje nga MAPL-ja lidhur me këto pretendime.
Pavarësisht kësaj, sipas Bordit, anëtarët e rinj kanë ushtruar kompetencat e aksionarit, duke shkarkuar Bordin ekzistues dhe duke emëruar një Bord të përkohshëm.
“Ne kërkojmë që institucionet kompetente ta shqyrtojnë menjëherë ligjshmërinë e këtyre veprimeve dhe të japin përgjigje për kërkesën e parashtruar në MAPL”, është shprehur Bajgora.
Bordi ka ngritur shqetësime edhe për veprimet e sekretares së ndërmarrjes, Bedrie Mjeku, duke pretenduar se ajo ka mundësuar takimin dhe ka protokolluar vendimet për shkarkimin e Bordit dhe emërimin e Bordit të përkohshëm.
Sipas Bordit, Mjeku ka qenë në dijeni se vendimi mbi bazën e të cilit kanë vepruar aksionarët e rinj ende nuk kishte hyrë në fuqi.
Në fund, Bordi ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij dhe se do të përdorë të gjitha mjetet dhe mekanizmat juridikë në dispozicion për garantimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e interesit të ndërmarrjes publike dhe përmbushjen e detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /kp/
Të rejat Lexo më shumë
Studentët e Mjekësisë i bashkohen bojkotit, dalin në protestë
Kontaminohet uji në Lucern të Zvicrës, zviceranët që mbetën pa ujë po furnizohen me alternativa tjera
Pamjet që tregojnë pse duhet të keni kujdes edhe kur vozitni ngadalë