BE përgatit rrugën për Shqipërinë, prezantohet strategjia e re më 6 tetor
Në Bruksel, më 6 tetor, do të prezantohet strategjia e re e Bashkimit Evropian për përshpejtimin e zgjerimit, ku Shqipëria është e përfshirë së bashku me Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë. Për këto katër vende po hartohen udhërrëfyes të veçantë me reforma konkrete, hapa dhe afate përfundimtare të negociatave. Sipas zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, puna për udhërrëfyesin ka filluar dhe synimi është përshpejtimi i procesit që ka zgjatur dekada. Drafti i strategjisë e konsideron zgjerimin si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe kërkon që vendet kandidate të zbatojnë reforma të thella dhe të qëndrueshme. "Vendet kandidate duhet të përfundojnë një proces rigoroz, të bazuar në merita, dhe të zbatojnë reforma të thella dhe të qëndrueshme. Kjo kohë duhet të shfrytëzohet plotësisht në mënyrë strategjike, si për të përgatitur Bashkimin për një anëtarësim më të gjerë, ashtu edhe për të thelluar integrimin gradual në fushat me interes të përbashkët", tha një komisionere e BE-së.