Bassuener kërkon hetim evropian për Banjskën: Të hetohet përfshirja e strukturave shtetërore serbe
Analisti gjerman i politikave për Ballkanin Perëndimor, Kurt W. Bassuener, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet një çështje që kërkon vëmendje, duke kërkuar angazhim më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e pranisë së KFOR-it.
Në një intervistë për Telegrafin, bashkëthemeluesi i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC) ka thënë se përveç përforcimit të pranisë ushtarake ndërkombëtare, nevojitet edhe një qasje më pak e orientuar automatikisht në favor të Beogradit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Duke folur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, Bassuener ka vlerësuar se qeveria e re e Kosovës duhet të kërkojë ndihmën evropiane për hetimin e përfshirjes së strukturave shtetërore të sigurisë së Serbisë në këtë ngjarje.
Po ashtu shtoi se zbardhja e plotë e sulmit është e domosdoshme për të vendosur përgjegjësi dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
“Nuk do të ketë përgjegjësi të mirëfilltë pa u zbardhur plotësisht ngjarje të tilla”, ka deklaruar Bassuener.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, analisti ka thënë se, pavarësisht paqartësive dhe mesazheve të përziera nga Lista Studentore lidhur me Kosovën, është e vështirë të imagjinohet një aventurizëm i ngjashëm me atë të Banjskës, me miratimin zyrtar të qeverisë.
Megjithatë, ai ka theksuar se largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht ndryshim të menjëhershëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.
Bassuener ka thënë se çështja e Kosovës mund të jetë një nga sfidat më të vështira për një Serbi pas Vuçiqit, për shkak të diskursit publik nacionalist që është ndërtuar ndër vite.
Të rejat Lexo më shumë
Sulmet ruse lënë mbi 850 mijë persona pa energji elektrike në Ukrainë, Zelensky raporton sulm me dron në Komyshuvakha
Vuçiqi, BIA dhe krimi i organizuar në dosjet e Sky ECC – deputetja opozitare serbe publikon dosjen e plotë
Rritet bilanci i viktimave në aksidentin hekurudhor në Egjipt, shkon në 7 numri i të vdekurve, 112 të plagosur