← Kthehu te Ballina
Sport 31/10/2026 14:32

Barça e ‘vendosur’ që humbjet nga PSG-ja dhe Reali mos të ndikojnë në vazhdim të sezonit

Barça e ‘vendosur’ që humbjet nga PSG-ja dhe Reali mos të ndikojnë në vazhdim të sezonit

Sipas “The Athletic” (përmes “SPORT”), Barcelona është e vendosur që humbjet ndaj Paris Saint-Germainit dhe Real Madridit të mos ndikojnë në vazhdimësinë e sezonit.

Pas një fillimi mbresëlënës të sezonit, humbja 4-2 në Ligën e Kampionëve ndaj PSG-së dhe disfata 2-1 në “El Clasico” kanë ngritur shqetësime për dobësitë e ekipit në mbrojtje dhe gjendjen e tij fizike.

Megjithatë, mesazhi brenda dhomës së zhveshjes pas dy humbjeve radhazi javën e kaluar është që të ruhet qetësia, pavarësisht pyetjeve gjithnjë e më të shumta rreth Hansi Flickut dhe ekipit të tij.

Sipas raportimit, duke iu referuar një burimi nga brenda dhomës së zhveshjes së Barcelonës, lojtarët dhe stafi besojnë se rezultatet e javës së kaluar nuk duhet ta lënë në hije paraqitjen dhe përparimin e ekipit në fazën e parë të sezonit.

Në fund të fundit, katalunasit kishin regjistruar një seri të shkëlqyer rezultatesh, duke i fituar 11 ndeshjet e para në të gjitha garat dhe duke shënuar gola me lehtësi, çka i kishte vendosur bindshëm në mesin e ekipeve më të rrezikshme në Evropë.

Brenda dhomës së zhveshjes mbizotëron mendimi se këto humbje duhet të shihen në perspektivën e duhur dhe se ngritjet e rëniet janë shumë të zakonshme gjatë një sezoni të gjatë.

“Ne nuk ishim ekipi më i mirë në histori më parë, por tani nuk jemi as një katastrofë”, i tha medias burimi nga dhoma e zhveshjes.

I njëjti burim theksoi më tej rëndësinë që ekipi të arrijë formën më të mirë në momentin e duhur gjatë sezonit, duke thënë: “Këto momente ndodhin gjatë një sezoni futbollistik. Është një sezon shumë i gjatë dhe, siç tha trajneri, e rëndësishme është që të jemi në formë të mirë në prill dhe maj”.

Këto komente e dëshmojnë bindjen që lojtarët e Barcelonës kanë në cilësinë e tyre dhe në përparimin që kanë bërë nën drejtimin e Flickut.

Mesazhi është që ata duhet ta ruajnë qetësinë dhe të mos lejojnë që dy humbje ta lëkundin besimin në punën që trajneri gjerman ka bërë gjatë kohës së tij në klub.

Projekti i Flickut vazhdon ta ketë mbështetjen e dhomës së zhveshjes, por edhe të drejtuesve të klubit, ndërsa vëmendja tani do të përqendrohet te reagimi në fushë dhe jo te zhgënjimet e fundit.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, lojtarët duhet ta kuptojnë se dy humbjet i kanë nxjerrë në pah dobësitë e ekipit, të cilat duhet t’i adresojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojnë të jenë në rrugën e duhur drejt realizimit të objektivave të tyre për këtë sezon.

Toyota Motor Europe ka shitur gjithsej 936.042 automjete Toyota dhe Lexus gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026,...

Reklamë