← Kthehu te Ballina

Ballkani kërkon reagimin ndaj Gjilanit, Drita synon hakmarrjen ndaj Feronikelit 74

ShpërndajeFacebookWhatsApp
Ballkani kërkon reagimin ndaj Gjilanit, Drita synon hakmarrjen ndaj Feronikelit 74

Sot zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku në program janë dy përballje interesante: Ballkani – Gjilani dhe Drita – Feronikeli 74.

Vëmendja kryesore do të jetë në Suharekë, ku Ballkani e pret Gjilanin në një ndeshje mes dy skuadrave që synojnë të afrohen me kreun e tabelës.

Tri herë kampioni i Kosovës vjen në këtë përballje ende pa emëruar trajnerin e ri, pas largimit të Sami Sermaxhajt. Suharekasit aktualisht renditen në pozitën e pestë me 19 pikë dhe do të kërkojnë fitoren për të përmirësuar pozicionin në tabelë.

Në anën tjetër, Gjilani është stabilizuar nën drejtimin e Zekirja Ramadanit. Skuadra kuqebardhë nuk njeh humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe mban pozitën e katërt me 22 pikë.

Në përballjen e parë të zhvilluar në shtator, Gjilani kishte triumfuar me rezultat minimal 1-0. Kjo ndeshje fillon në orën 13:00.

Ndërkohë, në përballjen e dytë të ditës, Drita do të jetë nikoqire e Feronikelit 74, në një duel ku gjilanasit synojnë t'i kthehen fitoreve, por edhe të marrin revanshin për humbjen e pësuar në përballjen e parë ndaj drenicasve, me rezultat 1-0.

Drita aktualisht renditet në pozitën e tretë me 24 pikë, ndërsa Feronikeli 74 zë vendin e shtatë me 15 pikë.

Përballja mes Dritës dhe Feronikelit 74 nis në orën 15:00. /Telegrafi/

Burimi: telegrafi.com

Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.

Lajme të ngjashme