← Kthehu te Ballina

Arsyetimi i Themelores për dënimin e Pal Lekajt dhe tjerëve për “53-milionëshin”: U nënshkrua marrëveshje e kundërligjshme pa kosto financiare

ShpërndajeFacebookWhatsApp
Arsyetimi i Themelores për dënimin e Pal Lekajt dhe tjerëve për “53-milionëshin”: U nënshkrua marrëveshje e kundërligjshme pa kosto financiare

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”, më 9 shtator 2026 e ka dënuar Pal Lekajn me 3 vjet e 8 muaj burgim, Besim Tahirin dhe Nebih Shatrin me nga 1 vit e 8 muaj burgim, dhe Eset Berishën me 3 vjet e 3 muaj burgim, për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”. Ndër arsyet pse të akuzuarit u shpallën fajtorë, Gjykata renditi marrëveshjen pa kosto financiare dhe fshehjen e opinionit që vlerësonte kompensimin 14.7 milionë euro.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi që u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli- anëtarë, është përpiluar më 7 tetor 2026.

Gjetjet e Gjykatës në raport me pikën I të dispozitivit të aktgjykimit

Sipas aktgjykimit, Gjykata ka vërtetuar se me datën 27 shtator 2017 të akuzuarit Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës dhe kryesues i Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm, dhe Besim Tahiri, ish-drejtor i Prokurimit Publik, kanë nënshkruar marrëveshjen me konsorciumin “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në Autostradën Prishtinë–Hani i Elezit nga 18 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018, për edhe 347 ditë, pa e caktuar koston financiare.

Gjykata, sipas aktgjykimit, ka gjetur se kjo marrëveshje ishte në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, sipas të cilit çdo marrëveshje apo aneks duhet ta përmbajë elementin e kostos financiare. Aty thuhet se kontrata bazë ishte lidhur me çmim fiks prej 599.9 milionë eurosh, prandaj çdo ndryshim që krijonte detyrime të reja financiare kërkonte bazë të qartë kontraktuale dhe procedurë prokurimi.

Po ashtu, Gjykata gjeti se të akuzuarit nuk kanë pasur kompetencë ta nënshkruajnë marrëveshjen ngase vendimet për projektin i takonin anëtarëve të KDNM-së.

“Komiteti Drejtues Ndërministror është organi kryesor dhe i vetëm vendimmarrës në realizimin e projektit duke përfshirë edhe anën financiare”, thuhet në aktgjykim.

Pretendimi i mbrojtësit të të akuzuarit Pal Lekaj, avokatit Artan Çerkini, se Lekaj ishte informuar për rrezikun e ndërprerjes së punimeve dhe të shkuarjes në Arbitrazh, u konsiderua i pabazuar. Sipas Gjykatës, ai nuk ka deponuar asnjë shkresë që e provon këtë dhe se fjalët e pathëna në letër nuk kanë peshë prove në çështje penale.

Lidhur me pretendimi i mbrojtësit të të akuzuarit Nebih Shatri, avokatit Florent Latifaj, se Shatri e ka nënshkruar marrëveshjen pasi drejtori i Prokurimit kishte propozuar zgjatjen pa kosto, u vlerësua si i pakuptueshëm, pasi ai ka nënshkruar pa e vlerësuar kontratën bazë.

Tutje, pretendimi i mbrojtësit të të akuzuarit Besim Tahiri, avokatit Urim Vokshi, se i njëjti ka vepruar në kuadër të kompetencave si zyrtar kryesor i Prokurimit, u vlerësua si e gabuar, pasi sipas gjykatës, vendimet për projektin i takonin KDNM-së, ndërsa marrëveshja pa kosto financiare ishte e kundërligjshme dhe ai i ka shmangur opinionet e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”.

“Të pandehurit e lartcekur nuk kanë pasur asnjë arsye që të nënshkruajnë marrëveshje pa kosto, kur kanë qenë në njohuri të plotë se ekziston një draft kontratë e dakorduar mes kontraktorit dhe Ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet në aktgjykim.

Gjykata ka gjetur se marrëveshja e ka hapur rrugën që kontraktori më 27 nëntor 2017 të paraqesë kërkesën për 63 milionë euro, që më pas u zbrit në 53.1 milionë dhe u aprovua nga Qeveria me vendimin e datës 5 qershor 2018. Sipas saj, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm prej 38,321,346 eurosh.

Gjykata ka vlerësuar edhe pretendimin për mungesë të mjeteve buxhetore, duke u mbështetur në super-ekspertizën financiare. Sipas saj, punët e certifikuara për vitet 2014–2017 janë paguar plotësisht dhe mungesa e mjeteve nuk ishte shkaku kryesor i zgjatjes. Vonesat kanë ardhur kryesisht nga vetë kontraktori- veçanërisht në projektim, dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” e ka theksuar këtë në opinionin e dhjetorit 2017.

Gjetjet e gjykatës në raport me pikën II të dispozitivit të aktgjykimit

Sipas aktgjykimit, Gjykata ka vërtetuar se nga data 27 shtator 2017 deri më 5 qershor 2018, i akuzuari Lekaj si ministër i Infrastrukturës dhe kryesues i KDNM-së, me ndihmën e të akuzuarit Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, i ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i mundësuar përfitim pasuror konsorciumit “Bechtel&Enka”.

Gjykata ka gjetur se Lekaj, pa e informuar dhe pa marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të KDNM-së, e ka angazhuar Berishën të marrë pjesë në negociatat me kontraktorin për koston financiare. Sipas aktgjykimit, këshilltari politik nuk kishte kompetencë për një veprim të tillë, pasi sipas Rregullores për Fushat dhe Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave, këshilltarët politikë nuk mund të ushtrojnë pushtet ligjor dhe as të ndërhyjnë në detyrat e zyrtarëve civilë.

Sipas aktgjykimit, kompetentë për vlerësimin e kërkesës ishin KDNM-ja dhe mbikëqyrësi i kontratës “Hill International”.

Edhe pretendimet e mbrojtjes së Lekajt dhe Berishës, se takimet me kontraktorin ishin vetëm për ta kuptuar kërkesën e tyre, u hodhën poshtë. Gjykata vlerësonn se procesverbalet tregojnë se ka pasur negociata përreth 4 muaj, ku kërkesa prej 63 milionë eurosh u zbrit në 45 milionë euro pa TVSH, përkatësisht 53.1 milionë me TVSH. Gjykata ka gjetur se roli i Berishës ka qenë dominant në këtë proces.

Gjykata ka gjetur se në mbledhjet e KDNM-së të 9 marsit, 5 prillit, 19 prillit, 31 majit dhe 5 qershorit 2018, të akuzuarit nuk e kanë prezantuar opinionin e “Hill International”.

Sipas aktgjykimit, anëtarëve u është thënë se kishin vetëm dy rrugë ose të paguhej 53 milionë euro ose çështja të shkonte në Arbitrazh me dëm “marramendës”. Por, Gjykata gjen se rreziku i Arbitrazhit nuk ishte i mbështetur në asnjë provë.

Duke u mbështetur në dëshmitë e anëtarëve të KDNM-së: Albena Reshitaj, Bajram Hasani dhe Valdrin Lluka, Gjykata ka vërtetuar se ata nuk kanë qenë në dijeni për rolin e “Hill Internationall” dhe se me këtë informim kanë votuar për rekomandimin.

Gjithashtu, aktgjykimi konstaton se pastaj KDNM-ja e ka miratuar njëzëri më 5 qershor 2018 rekomandimin për ta aprovuar kërkesën e “Bechtel&Enka” dhe po atë ditë Qeveria ka vendosur ta paguajë 53.1 milionë euro.

Sipas dëshmisë së drejtorit të Departamentit Ligjor, Avdi Kamerolli, e cila sipas Gjykatës gjen mbështetje në versionin e dytë të opinionit dhe në e-mailet zyrtare, Berisha i ka bërë presion që nga opinioni ligjor të largohet emri i kompanisë mbikëqyrëse- “Hill International”.

Në aktgjykim thuhet se Berisha i ka dërguar Kamerollit draft-opinion të shkruar nga vetë ai. Kamerolli e ka hartuar një version të ri duke e hequr emrin e “Hill International”, por ka mbetur ajo pjesë që opinionin e kishte të vlefshëm vetëm për kabinetin dhe jo si obligativ. Sipas Gjykatës, opinioni nuk u është dhënë anëtarëve të KDNM-së.

“Nuk bon ti me pengu kabinetin e ministrit dhe nëse nuk i zbaton politikat e kabinetit ke me pas pasoja” , thuhet në aktgjykim se i ka thënë i akuzuari Berisha, Kamerollit.

Gjykata më tej ka gjetur se Lekaj ka qenë në dijeni dhe e ka udhëhequr këtë proces me dashje dhe se përpjekjet e tyre për ta fshehur rolin e “Hill International” ishin me qëllim të dëmtimit të buxhetit.

Gjykata ka vërtetuar se opinioni i “Hill International” i 21 dhjetorit 2017, ku vlera e arsyeshme për zgjatjen e afatit është 14,778,654.87 euro, është pranuar në Ministri dhe është përcjellë te i akuzuari Berisha.

Dëshmitari Besnik Avdija nga “Hill International” ka dëshmuar se e ka dorëzuar vetë në kabinet, pa vulë protokolli. Sipas Gjykatës, të akuzuarit Lekaj dhe Berisha e kanë fshehur këtë opinion gjatë gjithë procesit.

Gjykata ka gjetur se pikat B dhe C të kërkesës së kontraktorit ishin “totalisht të paarsyetuara dhe të papranueshme”, ndërsa kërkesa financiare prej 53.1 milionësh, sipas super-ekspertizës, është e pabazuar dhe paraqet përpjekje për transferim të rrezikut financiar nga kontraktori te punëdhënësi.

Sipas aktgjykimit, edhe sikur kontraktori ta kishte ushtruar të drejtën për kompensim për vonesat në pagesa, shuma sipas kontratës bazë do të ishte 1,502,565.65 euro, jo 53 milionë.

Në përfundim, Gjykata ka vërtetuar se veprimet e të akuzuarve, të shqyrtuara bashkë, kanë rezultuar në rritjen e paarsyeshme të kostos së projektit dhe në bartjen e rrezikut financiar nga kontraktori te buxheti i Republikës së Kosovës.

Gjetjet për elementet e veprës penale

Themelorja gjen se nga vlerësimi i opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, opinioneve ligjore të Ministrisë së Infrastrukturës, procesverbaleve të takimeve të KDNM-së, dëshmive të dëshmitarëve dhe provave materiale, janë vërtetuar elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 i Kodit Penal.

Gjykata thotë se dashja dhe qëllimi i të akuzuarve Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri provohen nga tërësia e veprimeve të tyre, veçanërisht nga injorimi i opinioneve të “Hill International”, ndërhyrjet në opinionet ligjore të Ministrisë dhe mosinformimi i plotë i anëtarëve të KDNM-së për marrëveshjen e 27 shtatorit 2017. Sipas aktgjykimit, veprimet e tyre nuk mund të vlerësohen si të izoluara, të rastësishme apo si gabim i zakonshëm administrativ.

Gjykata ka sqaruar se për ekzistimin e qëllimit nuk është e domosdoshme që zyrtari të ketë realizuar vetë përfitim pasuror. Mjafton që nga veprimet e tij të vërtetohet se ka vepruar me qëllim që një personi tjetër t’i mundësohet përfitimi i dobisë ose t’i shkaktohet dëm.

Gjithashtu, sipas aktgjykimit, këtu nuk bëhet fjalë për mospërmbushje të detyrave zyrtare, siç pretendonte Prokuroria, por për tejkalim të kompetencave zyrtare.

Sa i përket të akuzuarve Lekaj, Shatri dhe Tahiri, Gjykata ka vërtetuar se secili ka kontribuar përmes veprimeve të veta zyrtare në nënshkrimin e marrëveshjes, pa e caktuar koston financiare, duke krijuar mundësinë për kërkimin dhe miratimin e kompensimit shtesë në dëm të buxhetit.

Ndërsa për të akuzuarin Eset Berisha, Gjykata ka gjetur se me dashje dhe në dijeni të qëllimit të veprimeve të të akuzuarit tjetër Lekaj, i ka ofruar ndihmë konkrete në kryerjen e veprës penale.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, kjo ndihmë është shprehur përmes pjesëmarrjes në negociatat me “Bechtel&Enka”, dakordimit për kompensimin financiar shtesë dhe ndërhyrjes për ndryshimin e opinionit ligjor të Ministrisë.

Gjykata thotë se ndihma në kryerjen e veprës penale nuk kërkon domosdoshmërisht që ndihmësi të ndërmarrë vetë veprimin kryesor. Sipas saj, Lekaj i ka ndërmarrë veprimet kryesore, ndërsa Berisha ka kontribuar me vetëdije dhe me dashje.

Gjykata ka thënë se me rastin e matjes së dënimit i ka marrë parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësuese për secilin të akuzuar.

Për të akuzurin Lekaj, si rrethanë rënduese ka marrë pozitën e lartë zyrtare si ministër, arsimimin dhe përgatitjen profesionale, faktin se ka qenë në dijeni të kompetencave të tij, se ka injoruar opinionin e “Hill International”, sipas të cilit shuma e lejuar ishte 14,778,654.87 euro, dhe se ka ndërmarrë veprime që mundësuan pranimin e kërkesës prej 53.1 milionë eurosh. E si rrethanë lehtësuese, ka marrë faktin se më parë nuk është dënuar.

Për të akuzuarin Shatri, si rrethanë rënduese ka vlerësuar pozitën si sekretar i përgjithshëm dhe nënshkrimin e marrëveshjes në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, Statutin dhe Kodin e KDNM-së, si dhe kushtet e kontratës bazë. Si rrethanë lehtësuese, ka marrë sjelljen korrekte gjatë gjykimit, respektimin e gjykatës dhe faktin se më parë nuk është dënuar.

Për të akuzuarin Berisha, si rrethanë rënduese ka marrë kontributin në negociata, dakordimin për kompensimin dhe ndërhyrjen në opinionin ligjor, duke theksuar se si këshilltar i lartë politik kishte përgjegjësi ta këshillonte ministrin për zbatimin e ligjshëm të kontratave. Si lehtësuese, sjelljen e mirë dhe qëndrimin korrekt gjatë gjykimit dhe faktin se më parë nuk është dënuar.

Si dhe për të akuzuarin Tahiri, si rrethanë rënduese ka vlerësuar pozitën si drejtor i Prokurimit Publik, i cili ishte përgjegjës për zbatimin e ligjshëm të kontratave, nënshkrimin e marrëveshjes pa e caktuar koston financiare dhe faktin se kjo e ka hapur rrugën për kërkesën prej 53.1 milionë eurosh. Si rrethanë lehtësuese, ka marrë sjelljen e mirë dhe qëndrimin korrekt gjatë gjykimit.

Përveç dënimit me burgim, të katër të akuzuarve u është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik pas mbajtjes së dënimit me burg. Sipas Gjykatës, kjo është bërë për shkak të natyrës së veprave, pozitës zyrtare të tyre dhe keqpërdorimit të autorizimeve zyrtare.

Për Lekajn ky ndalim është për 3 vite e 6 muaj, për Berishën 3 vite, ndërsa për Shatrin dhe Tahirin nga 2 vite.

Ndërsa, Avokatura Shtetërore pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila është palë e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Gjithashtu, kundër aktgjykimit palët e pakënaqura u udhëzuan se kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama kishte refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj ishte dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata kishte shpall edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre ishte shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim.

Po ashtu, ndaj Berishës ishte shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.

Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”. Detajet nga aktakuza mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Burimi: indeksonline.net

Artikull i përzgjedhur dhe përpunuar automatikisht nga Zani Digjital.

Lajme të ngjashme