← Kthehu te Ballina
Lajme 27/10/2026 14:31

“4.1 milionë euro të ndara për kulturën gjatë vitit 2026”, MKT-ja reagon pas pakënaqësive të artistëve

“4.1 milionë euro të ndara për kulturën gjatë vitit 2026”, MKT-ja reagon pas pakënaqësive të artistëve

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2026 janë ndarë gjithsej 4,167,390 euro për komunitetin artistik dhe kulturor, përmes thirrjeve publike, skemës shumëvjeçare dhe formave të tjera të financimit të projekteve.

Në një njoftim për media, MKT-ja ka theksuar se politikat për mbështetjen e artit dhe kulturës mbeten të pandryshuara, duke vlerësuar kontributin e artistëve, krijuesve dhe organizatave kulturore në zhvillimin e jetës kulturore dhe përfaqësimin ndërkombëtar.

Ministria ka bërë të ditur se po i përcjell me vëmendje shqetësimet e ngritura pas publikimit të rezultateve preliminare të thirrjes publike, duke siguruar se çdo ankesë do të shqyrtohet në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.

Sipas MKT-së, mbështetja për skenën e pavarur kulturore ofrohet edhe përmes shfrytëzimit të hapësirave kulturore, mundësive të sponsorizimit, lehtësirave administrative dhe bashkëpunimit me mekanizmat kulturorë ndërkombëtarë.

Ministria ka theksuar gjithashtu se investimet në infrastrukturën kulturore, në kuadër të programit investiv, tejkalojnë 35 milionë euro. Ndërkohë, nga viti i ardhshëm, thirrjet publike pritet të zhvillohen përmes sistemit elektronik, si pjesë e reformave për rritjen e efikasitetit dhe transparencës në procesin e financimit.

MKT-ja ka njoftuar edhe për mbështetje të posaçme për sektorin kreativ përmes zbatimit të strategjisë kombëtare për ekonomi kreative, e cila pritet të miratohet së shpejti.

Në fund, ministria u ka bërë thirrje të gjithë aplikuesve që kanë vërejtje ndaj rezultateve preliminare ta shfrytëzojnë të drejtën e ankesës brenda afatit të përcaktuar.

Reklamë