26 kamera në “Bernabéu”, por asnjë pamje e qartë e goditjes së Gülerit!
Polemikat për ndeshjen mes Real Madridit dhe Sevillas vazhdojnë edhe pas përfundimit të takimit, të cilin madrilenët e fituan me rezultat 4-1.
Në qendër të debatit është episodi i minutës së 24-t, kur Arda Güler dyshohet se goditi me bërryl futbollistin e Sevillas, Peque.
Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, ky ishte shkaku pse VAR-i nuk kërkoi nga gjyqtari kryesor, Mateo Busquets Ferrer, që ta rishikonte aksionin në monitor, përcjell “Gazeta Express”.
Guillermo Cuadra Fernández, i cili ishte në dhomën e VAR-it, nuk kishte në dispozicion një pamje të qartë që do të dëshmonte një gabim të dukshëm të gjyqtarit. Sipas protokollit të FIFA-s, ndërhyrja e VAR-it kërkon prova të mjaftueshme për një gabim të qartë dhe të dukshëm.
“Mundo Deportivo” thekson se VAR-i nuk ka kamera të veçanta përtej atyre që përdoren në transmetimin televiziv të ndeshjes.
Pamjet sigurohen nga LaLiga dhe janë të njëjta për dy operatorët televizivë në Spanjë, Movistar dhe DAZN.
Në ndeshjen e zhvilluar në “Santiago Bernabéu” ishin gjithsej 26 kamera, por asnjëra nuk e kishte kapur qartë momentin e kontaktit mes dy futbollistëve.
Aksioni ndodhi larg topit dhe jashtë fokusit kryesor të kamerave. Për këtë arsye, pamjet e disponueshme ishin kryesisht nga distanca, ndërsa zmadhimi nuk ofronte qartësi të mjaftueshme për të përcaktuar saktësisht pikën e kontaktit dhe intensitetin e goditjes.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta katalanase, pa një pamje që e dëshmonte qartë incidentin, VAR-i nuk kishte bazë të mjaftueshme për ta thirrur gjyqtarin në monitor dhe për të rekomanduar përjashtimin e futbollistit të Real Madridit.
Sevilla reagoi ashpër ndaj vendimit, duke pretenduar se Güler duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq.
Pak minuta pas incidentit, turku shënoi golin e parë të Real Madridit, duke e bërë episodin edhe më të diskutueshëm.
Polemikat janë shtuar edhe për shkak se Real Madridi dhe Barcelona përballen këtë fundjavë në El Clásico, një ndeshje që pritet të zhvillohet mes tensioneve të mëdha rreth arbitrimit.
Megjithatë, çështja kryesore në këtë rast mbetet cilësia e pamjeve televizive: edhe me 26 kamera në stadium, asnjëra nuk ofroi një kënd vendimtar që do të mundësonte një vlerësim të qartë të incidentit.
Për këtë arsye, VAR-i nuk ndërhyri, ndërsa debati për atë që ndodhi mes Gülerit dhe Peques vazhdon.
Të rejat Lexo më shumë
Shasivari para takimit me studentët: Dëshirojmë të arrijmë zgjidhje bashkëkohore për çështjen e Jurisprudencës
INVESTIMET NË ENERGJI TË RIPËRTËRITSHME: SI MUND TË NDIHMOJNË PROCEDURAT MË TË THJESHTA DHE SHËRBIMET PUBLIKE DIGJITALE?
Spektakël i Ertjan Kofshës, ia dhuron Shqipërisë dy medalje në Europianin U-23 të Peshëngritjes