150 ndeshje me Realin, Bellingham: Është nder i madh të luash këtu, ky është klubi më i madh në botë
Jude Bellingham e zhvilloi paraqitjen e tij të 150-të me fanellën e Real Madridit në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve kundër Romës.
Pasi pranoi një fanellë përkujtimore në kompleksin stërvitor “Ciudad Real Madrid” më herët gjatë ditës së sotme, mesfushori anglez foli për mediat zyrtare të klubit rreth këtij momenti historik, rolit të tij në skuadër dhe ambicieve për këtë sezon.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar. Është gjithmonë kënaqësi të luash për këtë klub dhe shpresoj ta bëj këtë edhe për shumë vite të tjera”, tha Bellingham.
“Real Madridi do të thotë shumë për mua, sepse është klubi më i madh në botë. Është nder i madh të luash këtu dhe të arrish në 150 paraqitje”, shtoi ai.
23-vjeçari foli gjithashtu për pozitën e tij në skuadër dhe sfidat e këtij sezoni, duke bërë shaka me idenë se tashmë mund të konsiderohet veteran.
“Jam 23 vjeç, kështu që nëse jam veteran… Po e shijoj rolin tim në skuadër dhe shpresoj që të përmirësohemi dhe të fitojmë trofe”, shpjegoi ai.
“Ndonjëherë kemi ndeshje më të vështira, por pothuajse të gjitha i kemi fituar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi”, shtoi ai.
Real Madridi e transferoi Bellinghamin nga Borussia Dortmundi në verën e vitit 2023, në një marrëveshje me vlerë mbi 100 milionë euro.
Reprezentuesi anglez është dëshmuar si një transferim i shkëlqyer për klubin madrilen, duke luajtur rol të rëndësishëm në triumfet e Real Madridit në La Liga dhe Ligën e Kampionëve në sezonin e tij të parë.
Në 150 paraqitjet e deritanishme, Bellingham ka realizuar 49 gola dhe ka dhënë 36 asistime.
Ndonëse trofetë kanë munguar që nga sezoni i tij i parë, 23-vjeçari ka vazhduar të shkëlqejë, veçanërisht këtë sezon nën drejtimin e Jose Mourinhos, duke regjistruar tre gola dhe tri asistime në dhjetë paraqitje.
Pavarësisht moshës, Bellingham tashmë konsiderohet njëri prej liderëve të kësaj skuadre të Real Madridit. Deklaratat e tij e theksojnë dëshirën për të vazhduar zhvillimin së bashku me bashkëlojtarët dhe për ta ndihmuar gjigantin spanjoll të luftojë për trofe.
Madje, vetëm më herët gjatë ditës së sotme, raportimet konfirmuan se Real Madridi ka arritur marrëveshje me Bellinghamin për një kontratë të re deri në vitin 2031.
Të rejat Lexo më shumë
24 dëshmitarë dhe dokumente sekrete – Man City pretendon se ka prova për ta rrëzuar vendimin ndaj klubit
Putin: Rusia po krijon një zonë sigurie brenda Ukrainës, kjo nuk do të negociohet me Kievin
Bylbyl Sokoli: S’ka vend për shqetësime rreth Lojërave Mesdhetare, më shumë po bëhet për rivalitet politik